Aprovimi i Strategjisë Qeveritare dhe Planit të Veprimit për bashkëpunim me Shoqërinë Civile 2013 – 2017

Zyra e Kryeministrit/Zyra për Qeverisje të Mirë, në bashkëpunim të ngushtë me Platformën CiviKos  si dhe me përkrahjen dhe bashkëpunimin e Zyrës Ligjore dhe Zyrës për Planifikim Strategjik pranë Zyrës së Kryeministrit ka hartuar dhe finalizuar Strategjinë Qeveritare dhe Planin e Veprimit për bashkëpunim me Shoqërinë Civile 2013-2017.
Qeveria e Republikës së Kosovës me datën 05 korrik 2013 ka aprovuar Strategjinë Qeveritare dhe Planin e Veprimit për bashkëpunim me shoqërinë civile 2013-2017. Rrjedhimisht kjo është edhe Strategjia e parë për bashkëpunim në mes të Qeverisë dhe Shoqërisë Civile në Kosovë.

Kjo strategji paraqet bazat e bashkëpunimit të Qeverisë me Shoqërinë Civile në Kosovë, duke e obliguar Qeverinë e Republikës së Kosovës që të angazhohet fuqishëm në krijimin e kushteve të favorshme për zhvillimin e sektorit të Shoqërisë Civile. Zyra e Kryeministrit/ Zyra për Qeverisje të Mirë, me ndihmën e CiviKos do të jetë përgjegjëse për koordinimin e gjithë procesit të zbatimit të Strategjisë dhe Planit të Veprimit, ndërsa për të siguruar një qasje të pavarur në mbikëqyrjen dhe vlerësimin e suksesit të zbatimit të kësaj Strategjie do të themelohet një Këshill i përbashkët me pjesëmarrjen e të dyja palëve.

Në vitin 2007, Qeveria e Republikës së Kosovës ka nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit me Shoqërinë Civile (të përfaqësuar nga Platforma CiviKos). Ky Memorandum paraqet dokumentin e parë formal që parasheh përkushtimin e dyanshëm për një bashkëpunim institucional dhe partneritet të mirëfilltë në mes të Qeverisë së Kosovës dhe shoqërisë civile.

Në shtator 2011 me vendimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Zyrës së Kryeministrit, Zyra për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit (ZKM/ZQM) është mandatuar si përgjegjëse për hartimin e Strategjisë për bashkëpunim me shoqërinë civile. ZKM/ZQM në bashkëpunim me Zyrën Ligjore dhe Zyrën për Planifikim Strategjik në kuadër të Zyrës së Kryeministrit kanë themeluar grupin nismëtar për hartim të strategjisë për bashkëpunim me shoqërinë civile. Në këtë grup janë përfshirë edhe organizatat e shoqërisë civile të përfaqësuara nga Platforma CiviKos, Fondacioni Kosovar për Shoqëri civile (KCSF) dhe Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).

Grupi nismëtar ka bërë identifikimin e çështjeve kyçe që duhet adresuar përmes kësaj strategjie dhe ka përgatitur metodologjinë e punës për një proces gjithëpërfshirës të hartimit të strategjisë për bashkëpunim.

ZKM/ZQM bashkë me CivKos-in, kanë organizuar punëtori të shumta si në nivelin qendror ashtu edhe atë lokal për hartimin e kornizës logjike të Strategjisë për bashkëpunim më shoqërinë civile. Gjatë gjithë kohës pjesëmarrës të procesit ishin përfaqësues nga organizatat e shoqërisë civile në Kosovë, zyrtarë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, përfaqësues të medieve si dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë.

Strategjia për bashkëpunim Qeveri – shoqëri civile fokusohet kryesisht në nivel qendror dhe ka shtrirje në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Strategjia ka afat 5 vjeçar, përkatësisht përfshinë periudhën kohore 2013 – 2017.

Objektivat strategjike që synohet të arrihen brenda periudhës 2013-2017 janë:

• Objektivi Strategjik 1: Pjesëmarrje e siguruar dhe e fuqizuar e shoqërisë civile në hartimin dhe zbatimin e politikave dhe legjislacionit
• Objektivi Strategjik 2: Sistem i ndërtuar i kontraktimit të shërbimeve publike për organizatat e shoqërisë civile
• Objektivi Strategjik 3: Sistem i ndërtuar dhe kritere të përcaktuara për përkrahje financiare për OshC
• Objektivi Strategjik 4: Nxitja e qasjes së integruar në zhvillimin e vullnetarizmit

Në fushat TË REJAT dhe PUBLIKIMET e keni edhe Strategjinë e aprovuar, Planin e Veprimit si dhe Vendimin për aprovimin e Strategjisë.

<< Kthehu mbrapa