CiviKos së shpejti me grupe punuese tematike

U mbajt takimi konsultativ me OJQ-të anëtare në rajonin e Pejës për krijimin e grupeve punuese tematike, sipas objektivave të strategjisë qeveritare për bashkëpunim me shoqërinë civile. Në takim u diskutua rreth rolit, mandatit si dhe përzgjedhjes së organizatave në këto grupe punuese.

Organizatat u zotuan që do të marrin pjesë aktive nëpër grupet punuese dhe janë të gatshme të monitorojnë zbatimin e strategjisë qeveritare. Në anën tjetër, sekretariati i Platformës Civikos poashtu nënvizoi rëndësinë e aktivizimit të vet organizatave në këta mekanizma, dhe se është në dispozicion që të përkrahë këto grupe në kordinim, lehtësim si dhe me pjesëmarrje.

Pas krijimit të Këshillit për Zbatim të Strategjisë Qeveritare  për bashkëpunim me shoqërinë civile 2013-2017, i cili është themeluar më 15 tetor 2014, e po ashtu edhe ekipet punuese që do të mundësojnë zbatimin e strategjisë, këto takime kanë për qëllim diskutimin rreth zhvillimeve të fundit rreth zbatimit të Strategjisë Qeveritare dhe themelimit të grupeve punuese.

Platforma CiviKos, themelimin e këtyre grupeve punuese e ka të paraparë edhe në rregulloren e vet të miratuar në Kuvendin e fundit të anëtarëve të mbajtur në Prill të këtij viti. Rregulloren e Punës së Platformës CiviKos dhe Strategjinë Qeveritare mund t’i gjeni ne web-faqen e CiviKos. www.civikos.net. Kjo seri e konsultimeve me organizatat anëtare mbështetet nga Fondacioni Friedrich Ebert Stiftung zyra në Prishtinë.

 

<< Kthehu mbrapa