Shoqëria Civile në proces të përzgjedhjes së anëtarit në Komisionin për Ndihmë Shtetërore

Me kërkesë të Ministrisë Financave sekretariati i Platformës CiviKos do të lehtësojë përzgjedhjen e anëtarit të shoqërisë civile në Komisionin për Ndihmë Shtetërore, duke u bazuar në Rregulloren e Punës të CiviKos. 

Komisioni për Ndihmë Shtetërore  do t’i ketë ketë 5 anëtarë të përbërë nga: Ministri i Financave, Kryesues; Ministri për Integrime Evropiane; Ministri i Tregtisë dhe Industrisë,  Kryetari i Asociacionit të Komunave, dhe një anëtar nga Shoqëria Civile.

Përfaqësuesi i shoqërisë civile do të zgjidhet nga vetë organizatat e shoqërisë civile përmes një procesi transparent dhe demokratik, ku të gjithë organizatat do të kenë mundësi të nominojnë përfaqësuesin e tyre dhe përmes votimit të zgjedhin personin që do t’i përfaqësoj në këtë komision.

Platforma CiviKos fton të gjitha organizatat e shoqërisë civile aktive në Kosovë për të nominuar përfaqësuesit e tyre. Ftesa është e hapur për të gjitha OSHC-të e regjistruara dhe rrjetet e OSHC-ve në Kosovë, pavarësisht anëtarësimit në Platformën CiviKos.
Të drejtën për të nominuar kandidatët e tyre kanë të gjitha OShC-të që janë të regjistruara sipas Ligjit për Liri të Asociimit në OJQ  ose janë rrjet i OShC-ve në Kosovë dhe ekzistojnë të paktën gjatë 3 viteve të fundit.
E gjithë procedura e nominimit dhe përzgjedhjes menaxhohet nga Sekretariati i Platformës CiviKos, nëpërmjet Formularëve për Nominim dhe Formularëve për Votim, ku përcaktohen qartë të gjitha kushtet e kërkuara dhe dokumentet shtesë.

Të gjitha OSHC-të që nominojnë kandidatët e tyre obligohen që në periudhën nga 23.06.2015-01.07.2015 të dërgojnë Formularin për Nominim të kandidatit, së bashku me CV-në e të nominuarit dhe certifikatën e regjistrimit të OJQ-së, përmes email në info@civikos.net, apo përmes postës, ose direkt në zyret e Platformës CiviKos, në adresën Rr. Bedri Pejani 7/A 10000, Prishtinë, Republika e Kosovës.
Formën e aplikimit, rregulloren dhe thirrjen e hapur mund ta gjeni  tek shpalljet në webfaqen  E Ministrisë së Financave dhe të Platformës CiviKos www.civikos.net

Pas përmbylljes së nominimeve dhe shqyrtimeve të aplikacioneve do të hapet procesi i votimit ku të gjitha OSHC-të e regjistruara në Kosovë do të kenë mundësi të votojnë për kandidatin për  t’i përfaqësuar në këtë komision. 

Për të mbikëqyrur procesin e numërimit të votave, Platforma CiviKos do të ftojë në cilësinë e vëzhguesve të gjitha OShC-të që kanë bërë nominime, rrjetet aktive të shoqërisë civile, përfaqësuesit e Ministrisë së Financave dhe palët tjera të interesuara.

<< Kthehu mbrapa