Thirrje e hapur për përzgjedhjen e përfaqësuesit të të rinjve në Bordin Drejtues të Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor ZRBR (RYCO)

Me kërkesë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e ndajmë thirrjen e hapur për përzgjedhjen e Përfaqësuesit të të Rinjve në Bordin Drejtues të Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO), me ndryshim të moshës për aplikim nga 18-30 vjet, si dhe shtyhet afati për nominime deri më 05 Gusht 2020, ora 17:00.

Përfaqësuesi i të rinjve në Bordin Drejtues të Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor do të nominohet dhe zgjedhet nga vet organizatat e shoqërisë civile, ndërsa i gjithë procesi do të organizohet nga Platforma CiviKos në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS).

 

Informacion

Në kuadër të Procesit të Berlinit, gjatë Samitit të Ballkanit Perëndimor 2016 në Paris, korrik 2016, është nënshkruar Marrëveshja mbi themelimin e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor nga gjashtë vende (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia). Vizioni i ZRBR-së është mbështetja e regjioneve të ndryshme, në të cilat të rinjtë, si grupi më me interes për të investuar në të ardhmen, janë të vetëdijshëm për të kaluarën dhe luajnë një rol aktiv në ndërtimin e një të ardhme më të begatë për shoqëritë e tyre.

Autoriteti më i lartë për vendimmarrje i ZRBR është Bordi Drejtues, i përbërë nga dy përfaqësues nga secili vend: një përfaqësues nga qeveria dhe një përfaqësues i të rinjve. Zgjedhja e përfaqësuesit të të rinjve do të kryhet përmes kësaj thirrje të hapur.

 

Misioni RYCO

RYCO është një mekanizëm ndërinstitucioal i pavarur në mënyrë që:

- të mbështesë shkëmbimin rajonal të të rinjve dhe shkëmbimin e ideve të tyre, si bazë për perspektivat e bashkëpunimit në ardhmen në rajonin tonë, duke u bazuar në vlerat e bashkëjetesës, tolerancës dhe respektimit të të drejtave të njeriut dhe diversitetit, si dhe përkushtimin për përfshirje dhe siguri,

- të rrisim bashkëpunimin rajonal ndërmjet institucioneve të dedikuara rinore dhe të rinjve, për të siguruar zbatimin e programeve të përbashkëta për të rinjtë me fokus në parimet e qeverisjes demokratike, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, arsimor dhe risive,

- të koordinojmë bashkëpunimin e të rinjve në Ballkanin Perëndimor.


Përgjegjësitë e përfaqësuesit të të rinjve në RYCO

Përfaqësuesi/ja i të rinjve në ZRBR do të përfaqësoj të rinjtë dhe organizatat rinore të Kosovës. Ai/Ajo do të jetë anëtar/e e Bordit Drejtues të RYCO për të punuar me përfaqësuesin tjetër të qeverisë së Kosovës. Përfaqësuesi/ja i të rinjve do të punojë së bashku me përfaqësuesit tjerë të qeverisë dhe të rinisë në Bordin Drejtues të RYCO. Ai/Ajo do të ketë një mandat prej 3 vjetësh, pa mundësi vazhdimi.

 

Nominimi

Të drejtë nominimi/kandidimi kanë të gjithë të rinjtë, shtetas të Republikës së Kosovës dhe të gjitha OJQ-të në Republikën e Kosovës , statuti dhe programi i punës i të cilave është rinia.

CiviKos vetëm e lehtëson procesin e përzgjedhjes dhe të gjitha OJQ-të në Kosovë kanë të drejtë nominimi dhe votimi pavarësisht anëtarësimit në CiviKos.


Kriteret për përfaqësuesin e të rinjve

Kandidatët e nominuar nga OJQ-të apo të rinjtë e vetnominuar duhet të plotësojnë këto kritere për të hyrë në listen e ngushtë të votimit:

Ø Të jetë shtetas/e i Republikës së Kosovës;

Ø Të jetë, jo më i ri/e se 18 vjet dhe jo më i/e vjetër së 24 vjet;

Ø Te ketë zotësi të plotë për të vepruar;

Ø Të kenë përvojë pune në aktivitete dhe veprimtari rinore (të jetë antarë/e apo vullnetar/e i OJQ-së, aktiv), jo më pak se 2 vite, të dëshmuara nga Organizata në të cilën jeni ose keni qenë të angazhuar;

Ø Të ketë njohuri të shkëlqyeshme të gjuhës Angleze. Njohja e gjuhëve tjera të huaja është përparësi;

Ø Të mos jetë aktivist/e i partive politike apo të kyqur në politikë;

Ø Aftësi për t’i trajtuar në mënyrë efektive çështjet e rinisë dhe në mjedise të ndryshme;

Ø Aftësi për të punuar në ekip dhe nën presion;

Ø Të posedoj aftësi për zgjidhjen e problemeve.

 

Dokumentet e kërkuara:


1. ID e skanuar (vlen për të gjithë kandidatët);

2. Dëshmi për përvojen e punës jo më pak se 2 vite, nënshkruar dhe vulosur nga Drejtori/Drejtoresha e OJQ-së, në të cilën dëshmohet angazhimi mbi 2 vjeçar dhe dëshmohet se jeni aktiv në momentin e aplikimit; (Deklaraten e shkarkoni këtu.)

3. Deklaratë për nominim nga OJQ-të e shkarkoni këtu, (kjo vlen vetëm për OJQ-të që nominojnë kandidat nga radhët e tyre, nuk vlenë për individët që kandidojnë vet);(Deklaraten e shkarkoni këtu.)

4. CV e të nominuarit/es nga OJQ-të, i bashkangjitet aplikimit;

5. Letër motivuese, duke përshkruar motivet e kandidimit;

6. Deklaraten e nenshkruar nga kandidati/ja se nuk jeni aktivist/e i ndonjë partie politike, (vlen për të gjithë kandidatët), (Deklaraten e shkarkoni këtu.)

 

Dokumentet e kompletuara duhet të dorëzohen me email në info@civikos.net ose me postë në adresën Platforma CiviKos, Rr. Bedri Pejani 7/a, 10000 Prishtinë.

Afati për të kandiduar apo për të nominuar do të jetë i hapur, nga data: 23 Korrik 2020 - 5 Gusht 2020.

 

Pas përfundimit të nominimit, paneli i përbërë nga një përfaqësues i Sekretariatit të Platformës CiviKos, një përfaqësues i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport (MKRS), një përfaqësues nga Zyra Lokale e RYCOs në Kosovë, i ftuar nderi do të jetë ish Përfaqësuesi i të Rinjve të Kosovës në Bordin Drejtues të RYCO z. Arianit Jashari. Paneli do të verifikojë nëse kandidatët e nominuar i plotësojnë kriteret e kërkuara. Të gjithë kandidatët që konstatohet që i plotësojnë kriteret e kërkuara do të përfshihen në listën përfundimtare për votim.

Të gjithë kandidatët apo nominimet që nuk i plotësojnë kriteret e lartcekura apo nuk e respektojnë afatin e përcaktuar, nuk do të merren parasysh.

Menjëherë pas përpilimit të listës përfundimtare për votim, Platforma CiviKos do të njoftojë publikisht për hapjen e procesit të votimit dhe do të publikojë në faqen e vet të internetit fletëvotimin zyrtar. Të gjitha OJQ-të e regjistruara mund të votojnë për kandidatët e tyre të preferuar brenda një afati prej 5 ditësh nga hapja e procesit të votimit: Secila organizatë mund të votojë për 1 kandidat nga lista e kandidatëve të përfshirë në fletëvotim.

Organizatat jo-qeveritare, mund të votojnë vetëm për një kandidat, sipas parimit ‘një organizatë - një votë’.

Rikujtojmë se në rastin e votimit të shumëfishtë nga e njëjta organizatë, votat e saj do të konsiderohen të pavlefshme. Gjithashtu, do të konsiderohet e pavlefshme vota e organizatës, e cila nuk ka ngarkuar dokumentacionin si më poshtë ose ka shkelur afatin e votimit.

Dokumentet që duhet të dorëzohen në pliko të mbyllur (fizikisht apo me postë) janë:

1. Fletvotimi, të rrethohet numri rendor i kandidatit/es që votoni;

2. Certifikata e regjistrimit të OJQ-së

3. Deklarata e nënshkruar dhe vulosur nga Drejtori/Drejtoresha e OJQ-së, në mbështetje të kandidatit/es.


Për të mbikëqyrur procesin e numërimit të votave, Platforma CiviKos do të ftojë në cilësinë e vëzhguesëve të gjitha OShC-të që kanë bërë nominime, rrjetet aktive të shoqërisë civile, përfaqësuesit e Departamentit për Regjistrim të OJQ-ve dhe përfaqësuesit e MKRS-së.

Për të reflektuar diversitetin shoqëror dhe të shoqërisë civile në Kosovë, inkurajohet nominimi i vajzave dhe grave, anëtarëve të komuniteteve jo-shumicë dhe grupeve të nënpërfaqësuara.

Për çfarëdo pyetje rreth këtij procesi të përzgjedhjes, kontaktoni Platformën CiviKos nëpërmjet e-mailit info@civikos.net ose numrit të telefonit 038 224 904.

Për më shumë informacion rreth Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor ju lutemi vizitoni https://www.rycowb.org/

<< Kthehu mbrapa