Në pranverë të vitit 2007, kur institucionet vendore në Kosovë tashmë kishin marrë shumicën e kompetencave dhe shoqëria civile ishte shndërruar në një aktor të rëndësishëm të ndërtimit të demokracisë në Kosovë, një numër i madh organizatash të shoqërisë civile së bashku me Zyrën e Kryeministrit filluan një proces të hapjes së rrugës institucionale të bashkëpunimit në mes të dy sektorëve.

Nisma për ndërtimin e këtij vizioni të përbashkët për bashkëpunim të institucionalizuar të sektorit të shoqërisë civile dhe qeverisë, u formalizua në Shtator 2007, me themelimin e Platformës CiviKos - një forumi të hapur për të gjitha organizatat e shoqërisë civile në Kosovë, të përkushtuara që të veprojë në mënyrë transparente dhe që të kërkojë të njëjtën gjë, edhe nga Qeveria dhe sektorët e tjerë.

Platforma CiviKos dhe z. Agim Çeku Kryeministër i Qeverisë së Kosovës, më 9 Nëntor 2007 nënshkruan Memorandumin e Bashkëpunimit në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Platformës CiviKos.  Ky Memorandum ishte dokumenti i parë zyrtar i nënshkruar në mes të palëve dhe njihte rolin e shoqërisë civile në ndërtimin e një shoqërie demokratike. Gjithashtu, nëpërmjet këtij memorandumi, të dyja palët shprehnin përkushtimin e tyre për të koordinuar veprimet drejt vendosjes së bashkëpunimit formal në mes të Qeverisë së Kosovës dhe shoqërisë civile.

Me konsolidimin  e Sekretariatit në fillim të vitit 2012, Platforma CiviKos në bashkëpunim me Zyren për Qeverisje të Mirë/Zyra e Kryeministrit, përkrahu procesin e hartimit të  Strategjisë Qeveritare për bashkëpunim me shoqërinë civile, e cila u aprovua në Korrik të vitit 2013. Kjo Strategji hapi rrugët edhe për krijimin e bashkëpunimit formal mes Qeverisë dhe shoqërisë civile. Gjithashtu janë krijuar edhe mekanizma për mbikëqyrjen e Strategjisë Qeveritare për bashkëpunim me shoqërinë civile të përbërë nga Qeveria dhe shoqëria civile. Këshilli për zbatimin e Strategjisë Qeveritare është themeluar në tetor të vitit 2014 dhe ka hartuar planin e punës për vitin 2015 bazuar në 4 objektivave strategjike të Strategjisë Qeveritare për bashkëpunim me shoqërinë civile.

Krahas pjesëmarrjes në Këshill për zbatimin e Strategjisë Qeveritare dhe katër Ekipeve të Punës në kuadër të Këshillit,  Platforma CiviKos ka krijuar edhe katër grupe të punës të Platformës CiviKos, të formuara në bazë të Rregullores së Punës për Zbatimin e Aktiviteteve të Platformës CiviKos, Kapitulli III. – Zbatimi i Aktiviteteve Avokuese për anëtarët /Nenet 8 – 13 si dhe në linjë me objektivat strategjike të strategjisë qeveritare për bashkëpunim me shoqërinë civile. të cilat do të ndihmojnë në procesin e mbikqyrjes së punës së Këshillit dhe zbatimit të Strategjisë..  
Aktualisht Platforna CiviKos ka një anëtarësi prej 207 organizatash e që është vazhdimisht në rritje. CiviKos gjithashtu ka krijuar edhe Rregulloren e Punës për Zbatimin e Aktiviteteve të Platformës CiviKos, Strategjinë e CiviKos, Kodin Etik, dhe dokumente tjera që janë relevantë me misionin dhe punën e Platformës CiviKos.

  • MATRICA E MONITORIMIT

    Për të vizituar matricën e monitorimit të CiviKos për Strategjinë Qeveritare për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile klikoni tek MATRICA

    Matrica
  • Shpalljet

    24 Nëntor 2016

    Orari i konsultimeve të Zyrës së BE-së në Kosovë me shoqërinë civile në lidhje me ciklin e nënkomitetit të MSA-së 2016/2017

    Shkarko dokumentin Shiko të gjitha »
  • Antarësohu